Lindi në Durrës Sanie Hoti, aktore. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve më 1978 dhe më pas filloi punë në teatrin “A. Moisiu” të Durrësit. Në vitin 1984 kalon në trupën e teatrit të kukullave të qytetit si aktore dhe më vonë si regjisore (2000). Ka luajtur shumë role, sidomos ato me brendi komike, ku ka spikatur sensi i saj i humorit, aftësia për të krijuar karaktere dhe për të shfrytëzuar me hir artistik cenet, paplotësitë dhe mangësitë njerëzore, ashtu sikundër gjendjet emocionale në rolet dramatike, të shprehura nëpërmjet një loje të zhdërvjellët dhe energjike. Si regjisore u vlerësua me çmimin e parë për shfaqjen e pjesës “Zemërimi i kopsave” e Gjergj Vlashit në Festivalin Europian të Teatrit të Kukullave (2006). Në vitin 2002 fitoi çmimin “Xinxifillo” me rolin e Dhelprës në Festivalin e Kukullave në Pogradec. (Në fotografi: Sanie Hoti)
Teksti: Josif Papagjoni
Fotografia: © https://durreslajm.al/aktorja-durrsake-sanie-hoti-feston-65-vjetorin-e-lindjes/?noCache
Përpunim grafik: AHCF




