Në Berat lindi Sotir Kolea, leksikograf, folklorist e veprimtar shoqëror. Që në rini hyri në lidhje me veprimtarë të shquar të Rilindjes dhe mori pjesë gjallërisht në lëvizjen kombëtare. Në vitet 1912–1920 zhvilloi veprimtari politike e publicistike për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar. Drejtoi më 1915–1919 gazetën “L’Albanie” në Lozanë të Zvicrës. Më 1928 u thirr në Tiranë të riorganizojë e të drejtojë Bibliotekën Kombëtare e Muzeun Kombëtar. Më 1937, i dalë në pension, u vendos në Elbasan dhe iu kushtua punës studimore. U interesua për gjuhën shqipe, për folklorin, etnografinë dhe solli një ndihmesë me vlerë, sidomos në leksikografi dhe në disa gjini të folklorit. Punoi gjatë gjithë jetës për të mbledhur visarin leksikor të gjuhës nga goja e popullit e nga botimet dhe për të hartuar fjalorë dygjuhësh të shqipes. La dorëshkrim një fjalor të orientalizmave të shqipes e një fjalor të vëllimshëm greqisht-shqip. Një pjesë të fjalëve të urta që mblodhi në popull i botoi me titullin “Një tufë proverbash” (1944). U nda nga jeta në Elbasan, në vitin 1945. (Në fotografi: Sotir Kolea)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1207–1208.
Fotografia: © https://elbasani.org/sotir-kolea/
Përpunim grafik: AHCF




