Tajar Zavalani

Lexo ngjarje:

Në Manastir (sot Bitola, Maqedonia e Veriut) lindi Tajar Zavalani, veprimtar politik, historian, publicist. Lindi në një familje nga fshati Zavalan i Dangëllisë (Përmet). Në vitin 1916 u vendos familjarisht në Selanik, ku kreu shkollën e mesme franceze. Në vitin 1922 shkoi në Tiranë. U emërua sekretar i Komisionit Ndërkombëtar për Caktimin e Kufijve (1923). Ishte anëtar i Shoqërisë “Bashkimi” dhe mori pjesë në Revolucionin Demokratik të Qershorit të vitit 1924. Më pas u emërua sekretar i Legatës Shqiptare në Romë (gusht 1924). Pas dështimit të Revolucionit, shkoi në Romë si emigrant politik. Në dhjetor 1925 shkoi në Bashkimin Sovjetik, ku ndoqi shkollën ushtarake-politike “Tolmaçov” (më pas “Lenin”). Mori pjesë në grupin nismëtar për organizimin e lëvizjes komuniste në Shqipëri. U pranua kandidat i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik në vitin 1928. Në nëntor 1930, pas shpërndarjes së Grupit Komunist Shqiptar të Moskës, shkoi në Berlin. Në janar 1933, u vendos në Shqipëri. Pjesëmarrës në grupin komunist të “Të rinjve”. Punoi si përkthyes e gazetar. Botoi shkrime të natyrës artistike dhe politike në shumë gazeta. U shqua për përkthimet nga rusishtja e frëngjishtja. Libri më i njohur i përkthyer në gjuhën shqipe prej tij, është romani “Nëna” i Maksim Gorkit. Me pushtimin fashist të Shqipërisë u internua në Itali, por mundi të kalojë në Zvicër e më pas në Francë (gusht 1939). Në vitin 1940 u vendos në Londër dhe filloi punë në seksionin e gjuhës shqipe të BBC-së. Gjatë Luftës II Botërore zhvilloi veprimtari të dendur politike, bashkëpunoi me grupime politike të ndryshme në mërgim, si me Ahmet Zogun, me Komitetin “Shqipëria e Lirë” në Amerikë, me Federatën “Vatra”, me Fan Nolin dhe me institucione të ndryshme të vendeve aleate etj. Pas luftës qëndroi në Londër dhe zhvilloi veprimtari e propagandë antikomuniste. Për tre vjet me radhë ishte sekretar i përgjithshëm i “Pen Club” (klub i shkrimtarëve antikomunistë). Pas formimit të degës së ACEN-it (Komiteti i Kombeve të Robëruara për Evropën) në vitin 1957, Tajar Zavalani u zgjodh delegat i Komitetit Shqiptar, detyrë të cilën e mbajti deri në vitet e fundit të jetës. Në vitin 1958 ndërroi fenë nga myslimane në katolike dhe mori emrin Thomas Henry. Është autor i librit “How Strong Is Russia” (“Sa e fortë është Rusia”), Londër 1951, i veprës “Histori e Shqipnis” në dy vëllime: i pari i titulluar “Nga ilirët e deri në Kongresin e Berlinit” (Londër 1957) dhe i dyti: “Nga 1878 deri më 1965” (Londër 1966); vepra u ribotua në një vëllim të vetëm në Tiranë, në vitin 1998. U nda nga jeta në Londër, më 19 gusht 1966. (Në fotografi: Tajar Zavalani)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2979–2980.

Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Tajar_Zavalani

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Drita Agolli

Lindi në Maqellarë të Peshkopisë Drita Agolli, regjisore e teatrit, aktore, pedagoge e aktrimit, Artiste e merituar.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img