U nda nga jeta Zef Krispi (Giuseppe Crispi), helenist, profesor i Universitetit të Palermos (1813), peshkop (1836). Lindi në fshatin arbëresh Palac Adriani (Sicili), në vitin 1781. U mor me origjinat e shqiptarëve dhe të gjuhës sonë, duke i lidhur me pellazgët e me maqedonasit e lashtë. Është i pari në shekullin XIX që shkroi mbi “Mesharin” e Gjon Buzukut, prej të cilit botoi një fragment, sipas letrës së Gjon Kazazit, që ia jep lajmin e zbulimit të tij, më 1740, Gjergj Guxetës (Giorgio Guzzetta). Shqipen e quan “albanese-epirota”, bashkë me arbëreshin tjetër sicilian, Gjon Skiro (Giovanni Schiro’), që ka shkruar po ashtu për origjinat pellazgjike të popullit shqiptar. Zef Krispi i hyri punës për një fjalor të madh shqip-italisht, po që s’u krye. Vepra e tij më e përmendur është “Memorie storiche di talune costumanze appartenenti alle colonie greco-albanesi di Sicilia” (1853). Që më 1831, kishte botuar një “Memoria” mbi gjuhën shqipe, ku mbronte të njëjtën tezë pellazgjike. Ai i dha këngë popullore shqipe nga Sicilia folkloristit të italian L. Vigo, i cili i botoi më 1857. (Në fotografi: Zef Krispi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1348.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Giuseppe_Crispi
Përpunim grafik: AHCF




