Në Tiranë u nda nga jeta Zekeria Rexha, veprimtar i lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare në Kosovë, studiues i historisë, shkrimtar, Mësues i Popullit. Lindi në Gjakovë, në vitin 1910. Shkollën fillore e kreu në vendlindje. Mbaroi shkollën e mesme në Liceun Francez të Korçës. Studimet e larta për filozofi i vazhdoi në Francë dhe i mbaroi më vonë në Beograd. Në kohën midis dy luftërave botërore shërbeu në Ministrinë e Arsimit në Tiranë, kurse më 1942 themeloi në Gjakovë dhe, për ca kohë, drejtoi Shkollën e parë Normale të Kosovës. Ka qenë pjesëmarrës i Konferencës së Bujanit (1943–1944) si dhe njëri ndër hartuesit dhe nënshkruesit e Rezolutës së saj. Pas luftës punoi si mësimdhënës i filozofisë në gjimnazin e Prishtinës, redaktor i revistës letrare “Jeta e re” dhe punonjës shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës. Përveç veprimtarisë arsimore, kulturore e shkencore, bëri përkthimet e para në Kosovë, sidomos të autorëve klasikë francezë dhe të tjerë. Ishte i njohur me pseudonimet e tij: Ramë Zuka, Azi e Shpend Dukagjini. Me pseudonimin e parë botoi ciklin e tregimeve humoristike-satirike me personazhin e Talush Efendisë, i cili u paraqit në vitet 1951–1956, në faqet e “Jetës së re”. Pas vdekjes së autorit, tregimet u botuan në Prishtinë në një libër të veçantë, me titullin “Talush Efendija” (1973). (Në fotografi: Zekeria Rexha)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1417–1418.
Fotografia: © https://commons.wikimedia.org/wiki/File:Zekeria_Rexha,_janar_1934.jpg
Përpunim grafik: AHCF




