U nda nga bota e letrave shqipe një ndër poetët më në zë të poezisë bashkëkohore arbëreshe, Vorea Ujko, pseudonimi letrar i Domeniko Beliçit. Lindi në Frasnitë (Kalabri). Kreu studimet teologjike dhe letrare. Shërbeu si klerik dhe mësues i letërsisë, në Firmë të Kalabrisë. U dallua si mjeshtër i metaforës. Arbërishtja e tij u afrua në shkallë të lartë me gjuhën letrare. Për lexuesit shqiptarë, është bërë i njohur me vëllimet poetike: “Ankth” (1979), “Stinët e mia” (1980), “Këngë arbëreshe” (1983), “Burimi” (1985) dhe, sidomos, me vëllimin lirik “Hapma derën, zonja mëmë” (1990). (Në fotografi: Vorea Ujko)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2795.
Fotografia: © https://www.teksteshqip.com/vorea-ujko
Përpunim grafik: AHCF




