U nda nga jeta Kadri Luftulla Prishtina ose, siç ka hyrë në histori, Hoxhë Kadriu, jurist e burrë shteti, atdhetar e luftëtar për liri e demokraci. Lindi në Prishtinë, më 1878. Kreu shkollën e mesme në Shkup dhe më 1896 u vendos në Stamboll, ku studioi për drejtësi e pedagogji. Që student u angazhua në lëvizjen patriotike dhe u burgos nga qeveria osmane. Më 1914-n, u vendos në Shkodër, ku punoi si avokat. Ishte një ndër krijuesit e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1918). Në Kongresin e Lushnjës (1920) u zgjodh ministër i Drejtësisë (1921) dhe më pas nënkryetar i Parlamentit Shqiptar. Si kundërshtar i Ahmet Zogut, u detyrua të emigrojë në Austri (1922–1923). Pas kthimit, botoi në Shkodër revistën “Udha e së vërtetës” (1923). Si jurist, ishte ndër të parët që vuri themelet e jurisprudencës shqiptare. (Në fotografi: Kadri Luftulla Prishtina)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2097–2098.
Fotografia: © https://commons.m.wikimedia.org/wiki/File:Hoxha_Kadri_Prishtina.jpg
Përpunim grafik: AHCF




