10 shkurt 1926
U nda nga jeta Aqif pashë Elbasani (1861–1926), personalitet politik, veprimtar për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë dhe për ndërtimin e konsolidimin e shtetit shqiptar, burrë shteti. Lindi në Elbasan, ku kreu shkollën fillore dhe të mesmen, ndërsa studimet e larta për drejtësi i kreu në Stamboll. Që në moshë të re u aktivizua në veprimtaritë e degës së Elbasanit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, mandej mori pjesë në shumë veprimtari patriotike të zhvilluara në rrethin e Elbasanit dhe jashtë tij, në prag dhe pas Shpalljes së Pavarësisë. Mbështeti përpjekjet e qeverisë së Ismail Qemalit për stabilizimin e vendit dhe iu kundërvu hapur forcave esadiste. Me fillimin e Luftës I Botërore dhe largimin nga Shqipëria të Ismail Qemalit dhe të qeverisë së tij, Aqif pashë Elbasani u strehua në Shkodër, së bashku me shumë patriotë të tjerë. Në korrik 1915, u internua në Cetinë nga forcat malazeze, të cilat pushtuan Shkodrën. Pas kthimit në atdhe (1916), u përpoq të ngrinte një administratë shqiptare. Ishte një nga nismëtarët për thirrjen e një Kongresi Kombëtar në Elbasan, që do të shqyrtonte gjendjen politike të vendit dhe do të vepronte sipas kushteve të reja. Por pushtuesit e rinj austro-hungarezë nuk e lejuan këtë hap politik. Në mbarim të Luftës I Botërore u radhit në krah të atyre forcave politike që treguan vendosmëri për mbrojtjen e shtetit shqiptar dhe që çuan në thirrjen e Kongresit të Lushnjës. Mori pjesë në luftën politike që nisi për stabilizimin dhe demokratizimin e jetës së vendit. Si rezultat i krizës së dhjetorit 1921, u detyrua të emigronte jashtë Shqipërisë (1922). Më 1924, një vit pas zgjedhjes së tij si deputet i Asamblesë Kushtetuese (dhjetor 1923), u kthye në vendlindje. Pas një sëmundjeje të gjatë, vdiq në Elbasan. (Në fotografi: Aqif pashë Elbasani)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 589.
Fotografia: © https://sq.m.wikipedia.org/wiki/Skeda:Aqif_Pash%C3%AB_Elbasani.jpg
Përpunim grafik: AHCF




