Impresum

info@albanianheritage.al

24.5 C
Tirana
E martë, 12 Maj, 2026

Idriz Ajeti

Lexo ngjarje:

Në Prishtinë u nda nga jeta Idriz Ajeti, gjuhëtar, albanolog, akademik. Lindi në Tupallë të Medvegjës, në vitin 1917. Ndër gjuhëtarët pionierë të Kosovës, themelues dhe drejtues i revistave dhe institucioneve albanologjike në Kosovë, kryetar i Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve paralele më 1998, pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë më 1999. Shkollën e mesme (Medresenë e Madhe) e ka kryer në Shkup, studimet për gjuhësi i nisi në Zagreb e më pas në Padovë, tek albanologu Karlo Taljavini, ndërsa u diplomua për romanistikë në Beograd (1949), tek albanologu Hemrik Bariq. Ka punuar si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në gjimnazin e Prishtinës (1949–1953), lektor në degën e albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Beogradit (1953–1960), ku më 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: “Zhvillimi historik i të folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë”. Nga themelimi, më 1960, për njëzet vite me radhë, ka drejtuar katedrën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, ku ka mbajtur lëndët histori e gjuhës shqipe dhe dialektologji. Ka qenë drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës në vitet 1970–1972 dhe 1983–1986 dhe themelues i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare (Prishtinë, 1974), të cilin e ka drejtuar deri më 1991. Gjatë viteve 1971–1973 ka qenë dekan i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitet vijuese, rektor i këtij universiteti. Ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës që nga themelimi dhe kryetar në dy mandate (1979–1981 dhe 1996–1999). Fushat kryesore të studimeve shkencore të Idriz Ajetit janë: dialektologjia historike dhe e sotme e gjuhës shqipe, historia e gjuhës shqipe, fonetika dhe morfologjia historike, filologjia, etimologjia, marrëdhëniet e shqipes me gjuhët sllave të Ballkanit, historia e shqipes letrare dhe çështje të normës letrare e të kulturës së gjuhës. Ka dhënë kontribut për organizmin dhe mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe (1972). Ndihmesë të rëndësishme ka dhënë në fushën e ndikimit të shqipes në të folmet sllave të Jugut, në fushën e studimeve të dialektologjisë historike, në proceset e vendimmarrjes për standardizimin e shqipes etj. I rëndësishëm ka qenë kontributi i tij për zhvillimin e studimeve albanologjike në Kosovë dhe ish-Jugosllavi. Anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, bartës i shumë mirënjohjeve dhe dekoratave, ndërsa Presidenti i Shqipërisë e ka shpallur “Nder i kombit”. (Në fotografi: Idriz Ajeti)

Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 28–29.

Fotografia: © https://merbraha.com/in-memoriam-idriz-ajeti-1917-2019/

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Ejëll Deda

Në spitalin e burgut të Shkodrës, pas torturash çnjerëzore u nda nga jeta dom Ejëll Deda, prift dioqezian.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img