U nda nga jeta në Paris, Abaz Ermenji, veprimtar politik, një nga themeluesit dhe figurat qendrore të Ballit Kombëtar. Lindi në fshatin Ermenj të Tomorricës (Skrapar). Kreu gjimnazin e Shkodrës. Me bursë të shtetit shqiptar, ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë, me specializim në histori, në Universitetin e Sorbonës (Paris). Në vitin 1938 u kthye në Shqipëri dhe u emërua profesor në Liceun Kombëtar (francez) në Korçë. Kundërshtoi pushtimin fashist, u arrestua nga italianët dhe u internua (1940) në ishullin Ventotene (Itali). Në shtator 1941 u kthye në Shqipëri, ku vazhdoi veprimtarinë e tij antifashiste në zonën Skrapar-Berat. Abaz Ermenji është një nga organizatorët e Ballit Kombëtar dhe anëtar i Komitetit Qendror të tij. Bashkëpunoi me S. Butkën, H. Lepenicën, S. Muçon në disa aksione të armatosura kundër italianëve. Mori pjesë në Mbledhjen e Mukjes (1943) dhe u zgjodh në Komitetin e Shpëtimit Kombëtar. Gjatë pushtimit gjerman të Shqipërisë, bashkëpunoi me forcat gjermane në operacionet kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare. Pas çlirimit, për dy vjet (1945–1946) veproi në ilegalitet, për të përmbysur regjimin komunist. Më 1946-n u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Paris, ku drejtoi Komitetin Kombëtar Demokrat “Shqipëria e lirë”. Pas rikrijimit të Partisë së Ballit Kombëtar në Shqipëri (1991), u zgjodh kryetar i saj dy herë radhazi (1994, 1998). Botoi një varg artikujsh te gazeta “Flamuri” (Romë), “Balli i Kombit” (Tiranë) etj. Studimi më i rëndësishëm i tij është “Vendi që zë Skënderbeu në historinë e Shqipërisë” (Romë 1968, Tiranë 1996). (Në fotografi: Abaz Ermenji)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 612.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Abas_Ermenji
Përpunim grafik: AHCF




