Më 19 prill 1999, në malet e Maznikut, në një betejë të ashpër me forcat serbe për të mbrojtur popullatën civile, ra heroikisht Shkëlzen Haradinaj, luftëtar dhe organizator i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Lindi në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit. Shkollën fillore dhe të mesmen i kreu në Irzniq. Shkëlzen Haradinaj është një ndër luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me të vëllanë, Luan Haradinaj. Në periudhën 1995–1998 mori pjesë në një varg sulmesh kundër postave të policisë dhe në luftime kundër ushtrisë serbe, ku u shqua për aftësi drejtimi. U plagos disa herë. Shkëlzen Haradinaj luajti rol të rëndësishëm në furnizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me teknikë luftarake dhe në përballimin e pasojave të mësymjes serbe të shtatorit 1998. Pas kësaj u emërua ndihmëskomandant për operacionet luftarake në Zonën Operative të Dukagjinit. Batalionit Gardist të Zonës Operative të Dukagjinit, që u formua pas rënies së tij, iu dha emri “Shkëlzen Haradinaj”. Në maj 1999, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i dha gradën gjeneralkolonel. (Në fotografi: Shkëlzen Haradinaj)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 883.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Jul_Variboba
Përpunim grafik: AHCF




