Impresum

info@albanianheritage.al

17.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Maj, 2026

Avni Rustemi

Lexo ngjarje:

Më 22 prill 1924, pas një atentati që iu bë në Tiranë, u nda nga jeta Avni Rustemi, veprimtar i lëvizjes demokratike, Hero i Popullit. Lindi në Libohovë. Në mars 1908 ndërpreu mësimet në Medresenë e Janinës dhe u bashkua me çetën e Çerçiz Topullit. Më pas ndoqi Shkollën Normale të Elbasanit (1909–1910) dhe kolegjin francez të Lozanës (1912–1913), ku themeloi shoqatën patriotike të studentëve shqiptarë “Burimi”. Punoi mësues në Libohovë, në Tragjas, në Tepelenë dhe në Vlorë, ku themeloi shoqërinë e të rinjve vlonjatë “Djalëria e Vlorës”. Organizoi më 28 nëntor 1918 demonstratën e popullit të Vlorës kundër trupave pushtuese italiane. Kreu kolegjin arbëresh të Shën Adrianit në Shën-Mitër (1919), ku themeloi organizatën. atdhetare “Lidhja e rinisë shqiptare”. Filloi studimet e larta për pedagogji në Universitetin e Romës (1919). Në kohën e Luftës së Vlorës (1920) dhe të operacionit ndëshkues të qeverisë kundër bandave rebele esadiste që kishin rrethuar Tiranën, Avni Rustemi, më 13 qershor 1920 vrau me atentat në Paris Esad Toptanin. Nën trysninë e opinionit përparimtar, gjykata franceze i dha pafajësinë. Në fund të vitit 1920 u kthye në Shqipëri dhe filloi menjëherë ngritjen e organizatave profesionale të arsimtarëve; bashkoi të gjitha shoqëritë demokratike të vendit në federatën “Atdheu” (Vlorë, 1921). Pas shkrirjes së federatës “Atdheu” (gusht 1922), themeloi shoqërinë “Bashkimi” (13.10.1922). Në shtator 1923 rifilloi studimet në Universitetin e Romës, por i ndërpreu pasi u zgjodh deputet i Prefekturës së Kosovës (krahinat Lumë e Has) në Asamblenë Kushtetuese (27 dhjetor 1923). Në këtë Asamble dhe në shtypin periodik Avni Rustemi parashtroi pikëpamjet e tij për zgjidhjen e problemeve ekonomike, politike e shoqërore të vendit. Në varrimin e tij në Vlorë, me një pjesëmarrje të madhe të popullit, u mbajtën fjalime të zjarrta nga përfaqësuesit e forcave demokratike. Kjo ngjarje afroi shpërthimin e Revolucionit Demokratik të Qershorit (1924). (Në fotografi: Avni Rustemi)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2269–2270.

Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Avni_Rustemi

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Gani Strazimiri

Në Tiranë, u nda nga jeta Gani Strazimiri, piktor e arkitekt.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img