Martesa e Ahmet Zogut me Gjeraldina Aponi

Lexo ngjarje:

Më 27 prill 1938, në Tiranë u zhvillua ceremonia e martesës së Ahmet Zogut me Gjeraldina Aponin (Geraldine Apponyi). Kjo ishte festa më e shënuar e monarkisë në perëndim të saj dhe në prag të agresionit fashist. Me këtë rast oborri shpenzoi nga buxheti shuma të mëdha, të cilat e rënduan më tej gjendjen financiare të shtetit, që edhe kështu ishte tepër e keqësuar. Italianët i kishin propozuar të martohej me ndonjë princeshë italiane. Përfundimisht, ai vendosi të martohej me një vajzë nga një familje fisnike hungareze katolike, me Gjeraldina Aponin, një vajzë e hijshme 17 vjeçare, e cila muaj më parë erdhi në Tiranë dhe u njoh e u fejua me mbretin. Ata merreshin vesh me njëri-tjetrin në gjermanisht. Në prag të martesës ngjarjet në Evropë rrodhën për keq. Gjermania naziste pushtoi Austrinë, edhe me bekimin e Italisë. Tani do t’i vinte radha Shqipërisë, aq më shumë që ajo ishte krejt e pambrojtur nga Fuqitë Perëndimore. Martesa e Ahmet Zogut u bë e qetë edhe pse dasma mund të quhej madhështore për kushtet në të cilat ndodhej Shqipëria. Italianët e ndrydhën në këtë moment zemërimin e tyre që mbreti nuk u martua me një italiane dhe që nuk i përfilli këshillat e tyre. Ata u detyruan të bënin një gjest “miqësor” për të respektuar rëndësinë e solemnitetin e ngjarjes, duke dërguar një delegacion personalitetesh në ceremoninë e martesës, me në krye Galeaco Çianon, ministrin e Jashtëm, i cili qe edhe dëshmitar i parë në martesë. Ceremonia martesore u zhvillua nën drejtimin e nënkryetarit të parlamentit shqiptar. Ahmet Zogu bëri vetëm martesë civile dhe vuri në kokë, bashkë me Geraldinën, kurorën me stemën e Skënderbeut. Dasma u zhvillua në pallatin mbretëror në një mënyrë përrallore për kushtet e vendit e u shoqërua edhe me një ballo madhështore. Në të merrnin pjesë aristokracia e vendit, e gjithë familja mbretërore dhe njerëzit e afërt me të, si dhe trupi diplomatik dhe miqtë e të ftuarit e huaj. Dhuratat me këtë rast vërshuan si lumë. Vetëm me këto dhurata familja mbretërore mund të bënte një jetë normale për disa dhjetëvjeçarë. Dhuratën më të mirë çiftit mbretëror ia bëri Adolf Hitleri, i cili i dhuroi, veç të tjerave, një veturë luksoze “Mercedes”. Miqtë italianë, me Galeaco Çianon në krye, ndenjën në dasmë si mbi gjemba. Ata mësuan se në Tiranë e në vend qarkullonin shumë mendime të pakëndshme për Italinë, se sundonte një humor antiitalian, madje një urrejtje e hapur. Kjo dhe dhuratat gjermane ia prishën krejt humorin ministrit të Jashtëm, i forcuan atij dyshimet e mëparshme se gjermanët nuk do të ishin kundër që edhe Shqipëria të përfshihej në zonën e tyre të ndikimit. Gjermania ende nuk e kishte dhënë miratimin e saj për pushtimin e Shqipërisë nga Italia. Gjatë gjithë këtyre viteve të aleancës italo-gjermane, qeveria naziste nuk kishte lënë të kuptohej aspak se Shqipëria i përkiste Italisë. Përkundrazi, me depërtimin gjithnjë e më thellë në Evropën Juglindore e në Ballkan dhe me veprimtarinë e gjallë ekonomike e politike në këtë fushë, linte të mendohej e kundërta. Çiano u kthye në Romë në fund të prillit, i tërbuar e gjithë urrejtje për Ahmet Zogun dhe për njerëzit e tij, por më shumë i shqetësuar nga depërtimi i papërmbajtur gjerman në Evropën Qendrore (pushtimi i Austrisë). Pasi i raportoi vjehrrit të vet, Benito Musolinit, për gjendjen në Shqipëri dhe për domosdoshmërinë e shpejtimit të agresionit kundër saj, u ul menjëherë të hartonte një plan të përcaktuar të këtij agresioni, të cilin e vlerësonte edhe si një punë e ambicie personale. (Në fotografi: Familja mbretërore në ditën e dasmës.)

Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2007, faqe 353-354.

Fotografia: © Rilindja Kombëtare dhe Pavarësisa Shqiptare në Muzeun Historik Kombëtar, Tiranë, 2021, faqe 210.

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Agron Llaka

Lindi në Memaliaj Agron Llaka, aktor i humorit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img