Më 26 prill 1966, në Çermë (Lushnjë) u nda nga jeta Mustafa Aranitasi, oficer i lartë dhe drejtues ushtarak i viteve 1910–1930. Lindi në fshatin Aranitas të Mallakastrës, më 12 prill 1874. Kreu Akademinë Ushtarake të Stambollit dhe shërbeu në ushtrinë e Perandorisë Osmane. Në janar 1913 hyri në shërbim të Ushtrisë Shqiptare, të krijuar nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës (1912), me gradën major, ku kreu detyra të rëndësishme. Më 1916–1917 shërbeu pranë forcave austro-hungareze në Shqipëri. Për këtë u shpërblye nga Perandoria me “Urdhrin e Meritave të Kurorës së Artë”. Qeveria e krijuar nga Kongresi i Lushnjës (1920) e caktoi Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura; Komandant i Regjimentit (Grupit të Dytë) të Tiranës, më 1921; ministër i Luftës më 1923, deri në fitoren e Revolucionit të Qershorit 1924. Pas kësaj u vendos në Bari. Më 1925, me ngritjen e Komandës së Përgjithshme të Fuqive të Armatosura, u emërua Kryetar i Gjyqit të Përhershëm Ushtarak deri më 1927, kur dha dorëheqjen dhe doli në pension. Pas vitit 1945, u internua në Çermë (Lushnjë). (Në fotografi: Mustafa Aranitasi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 86.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Mustafa_Aranitasi
Përpunim grafik: AHCF




