Nexhat Agolli

Lexo ngjarje:

Më 28 prill 1949, në Shkup u nda nga jeta Nexhat Agolli, luftëtar antifashist, mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Lindi në qytetin e Dibrës. Pasi mbaroi shkollën fillore në Krumë (Kukës), vazhdoi shkollën tregtare në Vlorë dhe kreu gjimnazin në Tiranë. Studimet e larta për drejtësi i kreu në Universitetin e Romës. U kthye në atdhe më 1940 dhe punoi gjykatës në Gjakovë, ku zhvilloi veprimtari të gjerë antifashiste. U rreshtua në radhët partizane të Kosovës, mandej në çetën partizane të Dibrës (qershor 1942). Mori pjesë në luftimet për çlirimin e Peshkopisë dhe të Dibrës së Madhe (shtator 1943). Më vonë u caktua në zonën e Kërçovës, fillimisht zëvendës e më vonë komandant batalioni e zv.komandant i Shtabit të Zonës I Operative. Në gusht 1943, u zgjodh anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar të Maqedonisë. Me çlirimin e Dibrës së Madhe (shtator 1944) u emërua komandant qarku për Dibrën dhe Strugën. Në tetor 1944 u caktua komisar i Brigadës VII Shqiptare, ku qëndroi deri në janar 1945, kur u emërua zv.kryeministër dhe ministër i Asistencës Sociale në qeverinë e parë të pasluftës në Maqedoni. Në atë detyrë mbrojti me vendosmëri të drejtat kulturore e kombëtare të popullit shqiptar dhe të drejtën për vetëvendosje; hapi Kursin Pedagogjik dhe shkollën “Liria” në gjuhën shqipe në Shkup (1945); themeloi me bashkëpunëtorët e tij gazetën “Flaka”; shpëtoi nga asgjësimi mijëra Shqiptarë të pafajshëm që mbaheshin të izoluar dhe torturoheshin në Tetovë si “bashkëpunëtorë të fashizmit”. Për këtë arsye, në maj 1948 u shkarkua nga funksionet ekzekutive dhe më 16 prill 1949 u arrestua me akuzën për qëndrim antijugosllav. U torturua mizorisht, por nuk u thye e nuk pranoi të tradhtonte popullin e vet dhe idealet kombëtare. Pas vdekjes në burg, trupi i tij i pajetë u qëllua me breshëri automatiku dhe u vendos në një shesh të Shkupit, për të krijuar përshtypjen se ishte vrarë në tentativë arratisjeje. (Në fotografi: Nexhat Agolli)

Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 17–18.

Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak

Përpunim grafik: AHCF

 

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Agron Llaka

Lindi në Memaliaj Agron Llaka, aktor i humorit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img