Në Ferizaj lindi imzot Nikollë Mini, titullar i Kishës Katolike. Mësimet e para i kreu në vendlindje dhe më pas i vazhdoi në Shkup. Shkollimin fetar e vazhdoi në Seminarin Dioqezian në Prizren, ndërsa studimet teologjike në Institutin Papnor në Shkodër dhe i përfundoi në Fakultetin Teologjik në Zagreb. U shugurua prift në vitin 1950, në Zagreb, ndërsa meshën e parë e mbajti në Katedralen e Krishtit në Shkup. Shërbeu si kapelan e pastaj u emërua famullitar në Guci, pastaj në Novoselë, më pas vazhdoi në Velezhë dhe në Prizren. Për nevojat e klerit katolik në famullitë shqiptare ka përgatitur tekste të ndryshme dhe libra të lutjeve. Në vitin 1962, nisi botimin e revistës fetare e kulturore “Zani i Zojës Cernagore”, ndërsa në vitin 1970 nxori numrin e parë të revistës mujore “Drita”. Botoi edhe përmbledhjen me këngë kishtare “Kantuali kishtar shqiptar” (1974). U nda nga jeta në vitin 1992. (Në fotografi: Nikollë Mini)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1107.
Fotografia: © https://www.vaticannews.va/
Përpunim grafik: AHCF




