Në fshatin Gllogjan të komunës së Deçanit lindi Ramush Haradinaj, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandant i Zonës Operative të Dukagjinit, lider i partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Një ndër komandantët më të njohur dhe më të suksesshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për shkak të përndjekjeve policore, që në fillim të viteve ’90 u detyrua të emigrojë në Zvicër, ku jetoi për afro 8 vjet, duke kryer punë të rëndomta. U përfshi në lëvizjen ilegale të kohës, duke u përcaktuar që nga fillimi për luftë të armatosur. Bashkë me të vëllanë Luanin, ishte njëri nga luftëtarët e radhëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që operuan në terren. Gjatë viteve 1996–1997 Haradinaj mori pjesë në organizimin e njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonat kufitare shqiptare, si: Kukës, Morinë, Tropojë, Vlanë etj. Më 1998 u emërua komandant i Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit (më vonë, Zonës Operative të Dukagjinit). Gjatë luftimeve u plagos disa herë: në betejën e 6 majit 1997, në betejën e 24 marsit 1998 në Gllogjan, në betejën në Carrabreg (qershor 1998) etj. Sulmin e parë frontal në rajonin e Dukagjinit forcat okupuese serbe e ndërmorën në Gllogjan, për likuidimin e familjes Haradinaj më 24 mars 1998, vetëm disa ditë pas sulmit të ndërmarrë kundër familjes Jashari, në Prekaz të Drenicës. Nën drejtimin e Ramush Haradinajt, i cili ishte plagosur rëndë, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës arritën ta fitojnë këtë betejë, pas shumë orë luftimesh me forcat policore dhe ushtarake serbe. Gjatë gjithë luftës ai drejtoi me sukses dhjetëra beteja në gjithë rajonin e Dukagjinit. Pas luftës, me transformimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Trupat Mbrojtëse të Kosovës, u emërua zëvendëskomandant i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, me gradën e gjeneralmajorit. Në prill të vitit 2000 u largua nga jeta ushtarake dhe themeloi partinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, si dhe u zgjodh kryetar e saj. Më 3 dhjetor 2004 u zgjodh kryeministër i Kosovës. Më 8 mars të vitit 2005, Tribunali për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi ngriti aktakuzë ndaj tij dhe po atë ditë Ramush Haradinaj dha dorëheqjen nga pozita e kryeministrit të Kosovës, për t’u dorëzuar vullnetarisht në Tribunalin e Hagës. Procesi gjyqësor kundër tij, në të dyja shkallët, zgjati për afro 8 vjet dhe, në përfundim të tij, u shpall i pafajshëm nga të gjitha akuzat e ngritura nga prokuroria e Tribunalit të Hagës. Me t’u kthyer nga Haga, vazhdoi riorganizimin e Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Në zgjedhjet parlamentare (2014) u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës. Në vitin 2012, për meritat e treguara në luftë për liri, presidenti i Shqipërisë e nderoi me Urdhrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”. (Në fotografi: Ramush Haradinaj)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 474.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Ramush_Haradinaj
Përpunim grafik: AHCF




