Më 21 prill 1996 u nda nga jeta Skënder Anamali, arkeolog, specialist i periudhës së antikitetit të vonë dhe i mesjetës së hershme, profesor. Lindi në Shkodër, ku kreu shkollën e mesme; ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Letërsisë e të Filozofisë në Universitetin e Padovës (Itali). Më 1947 filloi punën si arkeolog në Institutin e Shkencave në Tiranë dhe bashkë me Hasan Cekën hapën Muzeun e Parë Arkeologjik (1948). Ndërmori gërmime të pavarura në qytetin e Amantias, në Apoloni dhe në Durrës. Veprimtaria e tij u përqendrua në gjurmimin, zbulimin dhe studimin e kulturës së antikitetit të vonë e të mesjetës së hershme. Bëri gërmime sistematike në varrezën mesjetare të Krujës, të Komanit, Buklit, Shurdhahut, në bazilikën e Linit, në kalanë e Pogradecit, në kalanë e Stelushit, në bazilikën e Ballshit etj. Rezultatet shkencore të gërmimeve u pasqyruan në mbi 70 artikuj e studime të botuara edhe jashtë vendit, ku përcaktohen përbërësit e kulturës arbërore e procesi i lindjes dhe i zhvillimit autokton të bartësve të saj. Skënder Anamali është autor i monografisë për qytetin ilir të Amantias, bashkëredaktor i vëllimit, “Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë” (1965), bashkautor i veprave “Historia e Shqipërisë” (1959), “Historia e popullit shqiptar” vëllimi I (2002). Ishte anëtar i “Shoqatës Ndërkombëtare për Epigrafi Greke dhe Latine” me seli në Paris. Dha ndihmesë në ngritjen e disa muzeve arkeologjike. (Në fotografi: Skënder Anamali)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 69.
Fotografia: © Akademia e Studimeve Albanologjike
Përpunim grafik: AHCF




