Traktatit i Fshehtë i Londrës

Lexo ngjarje:

Më 26 prill 1915 u nënshkrua Traktati Fshehtë i Londrës, një marrëveshje nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, të Francës dhe të Rusisë në njërën anë dhe të Italisë në anën tjetër. Ishte një marrëveshje e arritur gjatë Luftës së Parë Botërore për t’u vënë në jetë në mbarim të saj. Me këtë akt katër Fuqitë nënshkruese për interesat e tyre merrnin nëpër këmbë të drejtat kombëtare të popullit shqiptar. Ato shkelnin hapur pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, të njohura prej tyre gati para dy viteve më parë, në vendimet e 29 korrikut 1913 të Konferencës së Ambasadorëve. Përmbajtja e këtij Traktati i hapte rrugën një copëtimi të ri të trojeve shqiptare, si dhe zhdukjes së pavarësisë së shtetit shqiptar. Nga të 16 pikat e këtij Traktati, 3 prej tyre (5, 6 dhe 7) kishin të bënin në radhë të parë me pretendimet ekspansioniste të Italisë në Shqipëri dhe me planet e Fuqive të Antantës (Anglia, Franca dhe Rusia), të cilat donin të kënaqnin me territoret e shtetit shqiptar edhe lakmitë e tri monarkive fqinje ballkanike: të Serbisë e të Malit të Zi, që luftonin prej disa muajsh në anën e tyre, si dhe të Greqisë asnjanëse, të cilën shpresonin ta tërhiqnin në bllokun e tyre. Sipas pikës 5 të Traktatit, bregdeti shqiptar prej derdhjes së Bunës në veri e deri në derdhjen e Drinit në jug parashikohej t’i kalonte Serbisë e Malit të Zi, duke përfshirë edhe portin e Shëngjinit. Sipas pikës 6 përfaqësuesit e Londrës, të Parisit dhe të Petrogradit pranonin që Vlora, ishulli i Sazanit si dhe një trekëndësh toke mjaft i gjerë, kufijtë e të cilit përcaktoheshin vetëm në vija të përgjithshme, t’i kalonin Italisë nën sovranitetin e saj të plotë. Ky trekëndësh në veri dhe në lindje do të kishte për kufi lumin Vjosë, kurse kufiri i tij jugor do të nisej nga Vjosa, në afërsi të Tepelenës, e do të dilte në Himarë nëpërmjet Kurveleshit. Sipas pikës 7 të Traktatit, Italia pranoi që pjesët veriore e jugore të Shqipërisë t’u jepeshin Malit të Zi, Serbisë e Greqisë. (Në fotografi: Zonat e përafërta sipas Traktatit të Fshehtë të Londrës.)

Teksti: Historia e popullit shqiptar – Vëll. III, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Toena”, Tiranë, 2007, faqe 78–80.

Fotografia: © Andria Radovitch; Koleksionet e Bibliotekës së Kongresit, Gjeografisë dhe Divizionit të Hartave, Washington DC.

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Agron Llaka

Lindi në Memaliaj Agron Llaka, aktor i humorit.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img