Në Shkodër lindi Ernest Koliqi, shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist e botues. Në qytetin e Shkodrës ndoqi Kolegjin Saverian të Jezuitëve dhe më pas vijoi shkollimin në Arice të Lombardisë. U kthye në atdhe në vitin 1922, ku u integrua shpejt në jetën kulturore dhe politike të vendit, si veprimtar i shoqërive “Bashkimi” e “Atdheu”. Gjatë viteve 1933–1937 ndoqi studimet e larta për letërsi në Universitetin e Padovës. Në vitet e pushtimit italian u emërua ministër i Arsimit. Në vitin 1943 largohet nga Shqipëria për të marrë drejtimin e katedrës së gjuhës shqipe në universitetin “La Sapienza”, Romë, ku qëndroi deri në fund të jetës. U nda nga jeta në vitin 1975. Ernest Koliqi është autor i mjaft veprave letrare, si: “Kushtrimi i Skënderbeut” (1924), “Hija e Maleve” (1929), “Tregtar famujsh” (1935) etj. Ai nuk lëvroi vetëm poezinë, por edhe gjininë e romanit dhe dramës. U cilësua me të drejtë themelues i novelës shqiptare. Me iniciativën e Ernest Koliqit, në vitin 1941 e më pas u vunë themelet e arsimit shqip në Kosovë e Maqedoni, u plotësua literatura shkollore me një varg tekstesh antologjike, si dhe u botuan një varg vëllimesh të serisë “Visaret e Kombit”, në të cilën u përmblodh një pasuri e jashtëzakonshme folklorike nga të gjitha trevat e vendit. Ernest Koliqi është një ndër intelektualët më vizionarë lidhur me probleme të kulturës kombëtare e çështjes shqiptare. (Në fotografi: Ernest Koliqi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1211–1212.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Ernest_Koliqi
Përpunim grafik: AHCF




