Në Berat lindi Hasan Nallbani, piktor, një nga personalitetet e pikturës shqiptare dhe aktualisht një artist aktiv e me vizione bashkëkohore. Nallbani bën pjesë në grupin studentëve të parë që mbaruan Institutin e Lartë të Arteve të porsakrijuar në Tiranë. Ky brez i ri artistësh të diplomuar në Shqipëri, me krijimtarinë e tyre krijuan një frymë të re në konceptimin dhe fuqizimin e tablosë historike dhe të asaj me temë bashkëkohore shqiptare. Gjatë viteve 1965–1990, ai ka qenë pjesëmarrës aktiv me veprat e tij në ekspozitat e konkurset kombëtare. Nallbani ka tërhequr vëmendjen e kritikës së kohës, veçanërisht si një kolorist impulsiv i fuqishëm, konstruktiv e i veçantë në kompozimet e tij, por, mbi të gjitha, si një piktor që ka ditur të përfitojë nga tradita e shkëlqyer shqiptare e artit ikonografik. (Në fotografi:Vepra e Nallbanit “Tirana”, 2009, vaj në kanavacë.)
Teksti: Ylli Drishti, 100 vjet Tirana në pikturë; 1920–2020, “Mediaprint”, Tiranë, 2020, faqe 96
Fotografia: © Drishti Y., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




