Në Tiranë lindi Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj, Kryegjysh Botëror Bektashian. Prindërit e tij ishin besimtarë të devotshëm të bektashizmit, me origjinë nga fshati Brataj i Vlorës. Pas mbarimit të shkollës 8-vjeçare, vazhdon studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, ku arriti rezultate të larta, ndaj iu dha e drejta të ndjekë studimet e larta ushtarake në Akademinë e Forcave Tokësore, sot “Skënderbej”. Nga viti 1982 dhe deri më vitin 1990 ka shërbyer në funksione të ndryshme ushtarake, në Burrel dhe Peshkopi. Me ringjalljen e besimit bektashian në fund të viteve ’90, së bashku me klerikë dhe besimtarë të tjerë merr pjesë në Këshillin Organizativ të Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Në fillim të vitit 1991, me kërkesën e tij, lirohet nga funksioni ushtarak dhe fillon të merret me organizimin e Komunitetit Bektashian. Më 16 maj 1996 konsakrohet me urdhrin “Dervish” dhe menjëherë ngarkohet me detyrë në Gjyshatën Bektashiane të Korçës. Puna e palodhur e tij për vazhdimësinë dhe ringritjen e besimit bektashian në Librazhd, Pogradec, Mokër, Korçë, Devoll dhe Kavajë, bëri që më 13 prill të vitit 1997, të dekretohet me titullin “Baba” dhe të caktohet si zëvendës i parë i Kryegjyshit Botëror Bektashian Haxhi Dede Reshat Bardhi. Në këtë funksion të lartë kontributi i tij ka qenë i çmuar sidomos në ideimin, përgatitjen dhe realizimin e tri kongreseve të radhës të bektashizmit. Në marsin e vitit 2006, emërohet në funksionin e gjyshit të Gjyshatës bektashiane në Maqedoni. Në vitin 2004, për kontributin e çmuar të tij, Këshilli Bashkiak i Qarkut të Korçës e ka nderuar me titullin më të lartë “Nderi i Qarkut të Korçës”. Që nga viti 1992 e në vazhdim Haxhi Baba Edmond Brahimaj ka marrë pjesë në trajnime të organizatave prestigjioze ndërkombëtare, kurse doktrinore, simpoziume dhe veprimtari të ndryshme me karakter fetar, human dhe social, ku edhe ka referuar duke çuar aty zërin dhe përvojat e komuniteteve bektashiane të kudondodhura në botë. Më 11.06.2011 zgjidhet në postin e lartë të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve. Këto vite si Kryegjysh Botëror i Bektashinjve, Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, ka punuar me përkushtim duke vazhduar traditën bektashiane në marrëdhënie institucionale brenda dhe jashtë vendit. (Në fotografi: Haxhi Dede Baba Edmond Brahimaj)
Teksti: https://kryegjyshataboterorebektashiane.org/
Fotografia: © Kryegjyshata Botërore Bektashiane, Tiranë
Përpunim grafik: AHCF




