U pushkatua Koço Theodhosi (1913–1977), pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, funksionar i lartë i Partisë së Punës të Shqipërisë dhe i shtetit. Lindi në Korçë, ku ndoqi Liceun Kombëtar (francez). Pasi mbaroi shkollën profesionale të Liezhit (Belgjikë) në vitin 1937, ndoqi studimet për kimi industriale dhe u diplomua në Universitetin e Lionit (1941). Gjatë viteve të studimit mori pjesë në veprimtaritë antifashiste të studentëve shqiptarë në Francë. Në vitin 1941 hyri në Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare; u bë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare që me themelimin e saj; mori pjesë në konferencat që u mbajtën gjatë viteve të luftës në Pezë e Labinot; ishte delegat i Korçës në Kongresin e Përmetit. Më 9 nëntor 1944 u emërua komisar për naftën në Kuçovë, ku qëndroi deri në vitin 1946 dhe dha ndihmesë për rivënien në shfrytëzim të industrisë së naftës të shkatërruar nga lufta. Më pas u caktua në detyra të tjera me përgjegjësi: zv.ministër i Punëve Botore (1946–1947), zv.president i Komisionit të Planit të Shtetit (1947–1949), përfaqësues i Shqipërisë në Komisionin e Ndihmës Ekonomike Reciproke në Moskë (1949–1950), president i Komisionit të Planit të Shtetit (1950–1962), zv.kryeministër (1962–1966), ministër i Industrisë e Minierave (1966–1975). U zgjodh anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë (1952) dhe kandidat e anëtar i Byrosë Politike (1956, 1966). Koço Theodhosi ka dhënë kontribut për ngritjen dhe zhvillimin e ekonomisë, sidomos të industrisë dhe minierave. Ka qenë deputet i Kuvendit Popullor në të gjitha legjislaturat nga viti 1950. Në Plenumin VII të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë (maj 1975), në kuadrin e goditjeve ndaj të ashtuquajturave grupe armiqësore në parti, veprimtaria e tij u cilësua si sabotuese; si pasojë u shkarkua nga detyrat, u përjashtua nga partia, u internua familjarisht në Kurbnesh, ku më pas u arrestua dhe u akuzua si pjesëtar i grupit armiqësor në ekonomi. U dënua me vdekje dhe u pushkatua.
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2774.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Ko%C3%A7o_Theodhosi
Përpunim grafik: AHCF




