Në Elbasan lindi Kostandin Kristoforidhi, lëvrues dhe studiues i gjuhës shqipe, veprimtar i Rilindjes Kombëtare në fushën e arsimit dhe të kulturës. Nga viti 1847 ndoqi gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Më 1857 shkoi në Stamboll dhe hartoi një “Memorandum për gjuhën shqipe” për të treguar nevojën e një pune të re me përkthimet shqip. Qëndroi në Maltë deri më 1860 në një seminar protestant, ku ndërkohë përfundoi përkthimin e “Dhiatës së Re” toskërisht e gegërisht. Më 1861 deri më 1865 u vendos si mësues në Tunis (Tunizi), ku hyri në marrëdhënie me përfaqësuesin e Shoqërisë Biblike të Londrës, në Stamboll. Më 1866 botoi përkthimin e parë gegërisht “Katër Ungjijtë dhe punët e Apostujve” dhe vijoi për shumë vjet përkthimet nga Shkrimi i Shenjtë: “Psallmet” (toskërisht 1868, gegërisht 1869, “Dhiata e Re” (gegërisht, 1869; toskërisht, 1870), “Të bërët dhe të dalët” (toskërisht 1880), “Fjalët e urta të Solomonit” etj. Që nga vitin 1870 udhëtoi disa herë nëpër Shqipëri për të mbledhur fjalë e shprehje nga goja e popullit, për të përhapur librat e vet dhe për t’u mësuar bashkatdhetarëve shqipen e shkruar. Veprimtaria e Kostandin Kristoforidhit u përqendrua në dy fusha të lidhura ngushtë: në fushën e gjuhës dhe të arsimit shqip. Më 1867 botoi “Abetaren” gegërisht, më 1868 toskërisht dhe libra të vegjël për nxënësit. U përpoq bashkë me Hasan Tahsinin e të tjerë të ngrinte shkollën shqipe. Ai nxori në dritë vlera të visareve të gjuhës së popullit, dha ndihmesë për pastërtinë e gjuhës dhe dëshmoi se dialektet e shqipes nuk kishin dallime të mëdha. Provoi prozën me tregimin “Gjaja e malësorëve” (1902). Shpresën për lirinë e Shqipërisë e mbështeste te vegjëlia, si rrugë kryesore shihte zgjimin kombëtar nëpërmjet shkollës e kulturës dhe gjuhën amtare e shihte si mjetin më të rëndësishëm për përparim kombëtar. U nda nga jeta në vitin 1895. (Në fotografi: Kostandin Kristoforidhi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1350–1351.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Kostandin_Kristoforidhi
Përpunim grafik: AHCF




