Në Korçë lindi Kristo Floqi (1876–1949), dramaturg, poet e publicist. Në vendlindje mori mësimet e para; studimet e mesme dhe të larta i kreu në Athinë, ku u diplomua në drejtësi (1899). Pas një qëndrimi të shkurtër në atdhe emigroi në Amerikë, ku mori pjesë në lëvizjen atdhetare, duke drejtuar përkohësisht dhe gazetën “Dielli”. Me krijimin e shtetit shqiptar u kthye në atdhe, mori pjesë aktive në jetën shoqërore e politike dhe bashkëpunoi me shkrime të ndryshme në shtypin e kohës. Më 1919, drejtoi revistën “Agimi” të Shkodrës. Pati poste të larta në administratën shtetërore të monarkisë dhe në administratën fashiste pas pushtimit italian (1939). Kristo Floqi lëvroi kryesisht dramën e sidomos komedinë. Botoi dramat me temë historike: “Fe e kombsi” (1914), “Triumfi i lirisë” (1938), si dhe komeditë “E mbesa e krahinarit” (1926), “Reklamë e bllof” (1926) etj. Komeditë e Kristo Floqit e marrin temën nga jeta e përditshme, fshikullojnë mendësitë dhe veset morale të shoqërisë e të administratës së kohës. Ato janë zakonisht pjesë me një akt, me pak personazhe, me situata komike që ndonjëherë kalojnë në grotesk. (Në fotografi: Kristo Floqi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 700.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Kristo_Floqi
Përpunim grafik: AHCF




