Në Orosh të Mirditës lindi Mark Tirta, etnolog, profesor. Pasi mbaroi shkollën e mesme, punoi si arsimtar (1955–1957). Kreu studimet e larta në degën histori-gjuhësi të Universitetin Tiranës (1961). Në vitet 1961–1968 punoi në arsim në rrethin e Mirditës. Në vitin 1968 filloi punën në sektorin e etnografisë të Institutit të Historisë dhe prej vitit 1979 në Institutin e Kulturës Popullore. Është marrë kryesisht me migrimet e popullsisë shqiptare e me mitologjinë popullore, si dhe me problemet e familjes, të së drejtës dokesore, të etnokulturës krahinore, me veshjet dhe artin popullor, me historinë e etnologjisë shqiptare dhe personalitetet e saj. Është autor i monografive “Migrime të shqiptarëve” (1999), “Etnologjia e shqiptarëve” (2003, 2006), “Mitologjia ndër shqiptarë” (2004), “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006), “Lëvizje migruese shqiptare” (botuar pjesë-pjesë brenda e jashtë vendit); bashkautor në vëllimin I e II të veprës “Veshjet popullore shqiptare” (1999, 2001). Ka botuar një varg artikujsh studimorë edhe në shtypin shkencor jashtë vendit. Mark Tirta është autor i manualit “Etnologjia e përgjithshme” (2001, 2008) dhe pedagog i lëndës së etnologjisë në Universitetin Tiranës dhe i etnologjisë së Ballkanit e të Mesdheut në Universitetin e Prishtinës. Ka dhënë ndihmesë edhe në fushën e muzeologjisë. (Në fotografi: Mark Tirta)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2715.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Mark_Tirta
Përpunim grafik: AHCF




