Në Milano, u nda nga jeta Nikola Barbato (it. Nicola Barbato), mjek, gazetar e politikan arbëresh. Lindi në Hora e Arbëreshëve (it. Piana degli Albanesi) të Sicilisë. Studioi në Seminarin Greko-Shqiptar të Palermos, më pas përfundoi studimet për mjekësi në këtë qytet. Pas diplomimit, punoi në spitalin e Palermos, ku veç kujdesit për pacientët u thellua edhe në studimet në fushën e psikiatrisë. Njëherësh, nisi edhe veprimtarinë si gazetar, duke trajtuar aspekte sociale e problematika që lidheshin me komunitetin shqiptar. Ishte një ndër themeluesit e Lëvizjes së Punëtorëve në Sicili (mars 1893), me anë të së cilës iu kundërvu sa mafies siciliane, aq edhe politikës së pandjeshme të qeverisë së kohës për varfërinë e skajshme të Horës së Arbëreshëve. Për shkak të angazhimit politik, jeta e tij ka qenë disa herë në rrezik, madje familjarë të tij u vranë nga mafia. Për nder të kontributit të tij në organizimin e kryengritjeve të ndryshme shoqërore, sot në Horën e Arbëreshëve ekziston një muze etnografik me emrin e tij. (Në fotografi: Nikola Barbato)
Teksti: Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Nicola_Barbato
Përpunim grafik: AHCF




