U zhvillua “Revolta e Spaçit”, revolta më e madhe kundër regjimit nga të dënuarit politikë në burgun famëkeq të Spaçit. Revolta nisi në datën 21 maj, si një kundërshtim ndaj urdhrave dhe rregullave të vendosura në burg. Më pas mori përmasa më të mëdha, duke kundërshtuar vetë regjimin komunist. Nisi si një incident i vogël mes një të dënuari dhe gardianit të burgut të Spaçit, por përfundoi me revoltën e thuajse të gjithë të burgosurve, duke shkaktuar tronditje të fortë për institucionet e sigurisë dhe drejtuesit e qeverisë komuniste. Për rreth 3 ditë, në tarracën e burgut 100 të burgosur filluan të hidhnin parullat “Ja vdekje ja liri!”, “Populli është me ne”, “Rroftë Shqipëria e lirë”, “Ju jeni katilë”. Ata u rrethuan me shpejtësi nga mbi 4500 trupa ushtarake nga Shkodra e Tirana, të cilët hapnin zjarr nga të gjitha anët. Deri në momentin që u shtyp dhunshëm revolta, të dënuarit u bashkuan dhe kundërshtuan me forcë të dorëzoheshin, duke u konfrontuar fizikisht me gardianët e burgut të Spaçit, të repartit 303 dhe të forcave të sigurimit dhe ushtrisë të mbërritur nga Tirana. Si rezultat dhe në shenjë hakmarrje, u dënuan me pushkatim katër nga krerët kryesorë të revoltës (Pal Gjergj Zefi, Dervish Bejko, Skënder Haja, Hajri Pashaj), ndërsa rreth 82 persona të tjerë u ridënuan me vite të gjata burgu. (Në fotografi: Pamje nga burgu i Spaçit.)
Teksti: Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, Tiranë
Fotografia: © Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe”, Tiranë
Përpunim grafik: AHCF




