Zef Bici

Lexo ngjarje:

Në Breg të Matës lindi Zef Bici, klerik katolik, vikar kapitullar i Arkidioqezës së Durrësit. Shkollën fillore e kreu në fshatin Gurëz (1927–1932). Dy vite më vonë, më 1934, filloi Seminarin e Papnor të Shkodrës, ku vazhdoi dhe teologjinë. Më 2 shkurt 1946 u shugurua meshtar në Katedralen e Shkodrës. Nga 6 nëntori i vitit 1946 e deri në mars 1952, shërbeu si ndihmësfamullitar në Tiranë, së bashku me dom Mark Dushin. Në mars 1952 u emërua shef administrate, shef personeli e shef kulture pranë Kryesisë së Kishës Katolike në Shkodër. Më 1955 u shkarkua nga detyrat pranë Kryesisë së Kishës dhe, që nga 1 janari 1956, u la në dispozicion. Shërbeu për pak kohë si ndihmësfamullitar në Shirokë. Më 28 prill 1957, u kthye në Tiranë, në vend të dom Mark Dushit. Më 12 shtator të po atij viti u zgjodh vikar kapitullar i Arkidioqezës së Durrësit. Qëndroi në famullinë e Tiranës deri në nëntor të vitit 1964, kur dhe u arrestua me akuzën se kishte blerë kontrabandë letër nga një hajdut i ndërmarrjes shtetërore “Mihal Duri”. Pas tetë muajsh hetuesie u nxor në gjyq, ku ai paraqiti një kasetë në të cilën kishte regjistruar të gjithë bisedën e kontratës së blerjes së letrës. Për këtë arsye, pas tri ditësh u lirua, jo me pafajësi, por me një vendim gjyqi që e dënonte aq ditë burg sa kishte bërë. U arrestua sërish më 4 korrik 1967, i akuzuar se kishte mbajtur lidhje “me spiunazhin italian dhe pikërisht me kryeagjentin Bartolini, funksionar i Ambasadës Italiane në Tiranë”. Më 25 prill 1968 u dënua me vdekje, me pushkatim, për “tradhti të lartë ndaj atdheut” e si “agjent i Vatikanit”. Megjithëse vuante nga kanceri në gjëndrën e qafës e për këtë arsye ishte operuar dy herë në spitalin e Tiranës, u ekzekutua më 10 maj 1968. Eshtrat e tij u gjetën 25 vite më vonë, më 12 shtator 1993, në një fushë të Dobraçit, dhe u varrosën në Kishën e Zemrës së Krishtit, në Tiranë. Është dekoruar “Martir i Demokracisë”. (Në fotografi: Zef Bici)

Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. I, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2012, faqe 180–181.

Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak

Përpunim grafik: AHCF

- Advertisement -spot_img

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Marketing -spot_img
Të fundit

Anastas Kondo

U nda nga jeta Anastas Kondo, shkrimtar, skenarist.
- Marketing -spot_img

Lexo më shumë

- Advertisement -spot_img