Në Prishtinë u nda nga jeta Beqir Musliu, poet, prozator, dramaturg dhe kritik teatri. Lindi në Gjilan, më 11 qershor 1945. Në vendlindje përfundoi shkollimin fillor e të mesëm. Kreu studimet për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Prishtinës. Një kohë të gjatë punoi si gazetar e redaktor i rubrikës së kulturës në revistën “Zëri i rinisë”. Ishte redaktor përgjegjës i revistës “Plejada”, redaktor shumëvjeçar i revistave “Fjala” dhe “Jeta e re”. Krijimtarinë letrare e nisi si poet, pastaj kaloi në forma të tjera letrare: tregime, romane, drama e radiodrama, për të mbetur sërish te poezia. Më 1965, revista “Jeta e re” i boton librin e parë poetik “Rima të shqetsueme”. Pastaj botoi librat e radhës, duke ndërtuar një sistem të vetin poetik e figurativ. Librat e tjerë me poezi janë: “Lulëkuqet e gjakut” (1966), “Bukurija e zezë” (1968), “Parabola” (1976), “Darka e magjisë” (1978). Ndërsa veprat në prozë: “Ndeshtrasha”, roman (1973); “Mbledhësit e purpurit”, roman (1982); “Krupa”, roman (1989); “Kori i gjelave të vdekur”, tregime (2002) etj. Krijimtaria tij letrare, pjesë të së cilës u publikuan nëpër revista letrare dhe një pjesë e mbetur në dorëshkrim, u botua, pas vdekjes, në shtatë vëllime, nga shtëpia botuese “Faik Konica” (2004), përfshirë këtu edhe vepra të pabotuara më parë, si romanet “Makthi”, “Amullia”, poema “Skënderbeu” etj. Gjithashtu botoi edhe dramat: “Unë Halil Garria” (1982), “Shtrigani i Gjel-Hanit” (tetralogji, 1989) etj. Krijimtaria letrare e Beqir Musliut u prezantua në disa panorama e antologji të letërsisë në gjuhën shqipe dhe në disa gjuhë të tjera. (Në fotografi: Beqir Musliu)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1157.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Beqir_Musliu
Përpunim grafik: AHCF




