Në Shkodër lindi Çesk Zadeja, kompozitor, Artist i Popullit, profesor, anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, një ndër përfaqësuesit më të spikatur të traditës muzikore profesioniste shqiptare. U formua si muzikant në mjediset artistike të qytetit të tij të lindjes, pranë korit françeskan, dhe si trombonist i orkestrës frymore të Prenk Jakovës. Studioi në Akademinë “Santa Cecilia” të Romës (1941–1943). Më pas punoi në Radio Shkodra (1946–1947) dhe dirigjent i Ansamblit Artistik të Ushtrisë Popullore (1949–1951). Kreu studimet e larta për kompozicion në konservatorin “P. I. Çajkovski” të Moskës (1951–1956). Pas kthimit në atdhe, u bë një ndër figurat muzikore qendrore të vendit, si bashkëthemelues dhe drejtues i disa prej institucioneve më të rëndësishme muzikore: udhëheqësi i parë artistik i Ansambli Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore (1957); përgjegjës i Degës së Muzikës në Institutin e Lartë të Arteve (1966); udhëheqës artistik i Teatrit të Operës dhe Baletit (1972). Me krijimtarinë e tij të pasur 40-vjeçare, Çesk Zadeja u bë përfaqësuesi më në zë i proceseve bazë që njohu zhvillimi i muzikës shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, i formimit të traditës së mirëfilltë profesioniste në vend, i lëvrimit për herë të parë të disa formave e gjinive muzikore tradicionale në Shqipëri. Stili i tij origjinal u formua mbi bazën e sintezës së përvojës muzikore evropiane të shekujve XIX–XX dhe të shfrytëzimit mjeshtëror të burimeve të shumta (sidomos intonative e modale) të trashëgimisë folklorike vendëse. Në këtë drejtim ai mund të konsiderohet kompozitori më ndikues i brezave të tjerë të muzikantëve shqiptarë. Çesk Zadeja krijoi gati në të gjitha format e gjinitë muzikore. Vepra e tij është ekzekutuar gjerësisht brenda dhe jashtë vendit. Ndër veprat e tij kryesore veçohen: Simfonia në La (1956), Koncerti për Piano dhe Orkestër (1968), Sonata për Violinë e Piano (1972), baletet “Delina” (1962) dhe “Para stuhisë” (1982), pjesët pianistike “Tokata” (1954), “Humoreska” (1961), “Valle e rëndë me daulle” (1964) etj. Ka marrë Çmimin e Republikës të shkallës së parë dhe të shkallës së dytë (dy herë). (Në fotografi: Çesk Zadeja)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2967–2968.
Fotografia: © https://www.voal.ch/
Përpunim grafik: AHCF




