Në Dajç të Zadrimës lindi Dom Nikollë Gazulli, klerik katolik, etnograf, historian, leksikograf e gjuhëtar, themelues i toponomastikës e onomastikës shqiptare. Mësimet e para i mori në shkollën e fshatit, të mesmen e vazhdoi në Shkodër, e të lartën në Austri. Për shumë vite punoi në zonën e Malësisë së Madhe (në famullinë e Shkrelit). Duke gjurmuar në fshatrat e kësaj famullie e gjetkë, si në Kelmend, Hot, Pukë, Dajç të Bregut të Bunës, Ulqin etj., ai mblodhi dhe analizoi me seriozitet shkencor, për vite me radhë, me mijëra fjalë të rralla, shprehje frazeologjike, materiale onomastike (si emra vendesh, lumenjsh, fisesh etj.), gojëdhëna, fakte historike, mitologjike etj., të cilat i përmblodhi në dy veprat e tij madhore “Fjalorth i ri” (fjalë të rralla të përdoruna në Veri të Shqipnisë), Tiranë, 1941, përfshirë në serinë “Visaret e kombit”, vëll. XI, dhe “Fjalori Onomastik”, botuar me pseudonimin “Gelasius” në revistën “Hylli i Dritës” 1939, gjithsej 21 numra. Pas vrasjes së të vëllait, Dom Gjon Gazullit, në vitet 1924–1930 u burgos në Gjirokastër. U vra nga forcat e ndjekjes në Vrith të Malësisë së Madhe, më 1946. (Në fotografi: Nikollë Gazulli)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. II, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2013, faqe 332–333.
Fotografia: © Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
Përpunim grafik: AHCF




