Në Kavajë lindi Indrit Cara, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Kreu shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” në Tiranë dhe vijoi studimet në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, për artiljer kundërajror. Me fillimin e proceseve demokratike në Shqipëri, Indrit Cara emigroi në Itali, ku qëndroi dy vjet. Më pas kaloi në Londër, ku u njoh dhe punoi me shumë emigrantë nga Kosova. Në janarin e vitit 1999 vendosi të largohet nga Britania e Madhe dhe t’u bashkohet formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare në Kosovë. Në fillim të muajit mars 1999, arriti të futet në Kosovë. U caktua komandant i kompanisë autonome të Shtabit të Përgjithshëm në Divjakë të Drenicës. Më 31 mars të vitit 1999 u përfshi në luftime në Zonën Operative të Pashtrikut, me qëllim të mbrojtjes së popullsisë së rajonit të Pagarushës. Komanda e Zonës Operative të Pashtrikut kishte kërkuar përforcime nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shtabi urdhëroi kompaninë autonome të komanduar nga Indrit Cara, të bëjë veprimet e nevojshme luftarake në ndihmë kësaj zone. Gjatë këtyre luftimeve, ai u vra nga një predhë artilerie. U nderua me shumë mirënjohje në Shqipëri dhe në Kosovë. (Në fotografi: Indrit Cara)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 254.
Fotografia: © https://trimat.al/hero/indrit-cara
Përpunim grafik: AHCF




