Përfundoi punimet “Kongresi i Berlinit”, mbledhje ndërkombëtare e përfaqësuesve të Fuqive të Mëdha të kohës: Anglisë, Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Rusisë, Francës, Italisë dhe Turqisë. U thirr për rishikimin e Traktatit të Shën Stefanit (3 mars 1878). Dokumenti më i rëndësishëm i Kongresi të Berlinit, Traktati i Berlinit, ka qenë akti që parashikonte një rregullim të ri territorial në Ballkan pas disfatës së Perandorisë Osmane në luftën me Rusinë (1877–1878). Dy nga Fuqitë e Mëdha morën nga një pjesë: Austro-Hungaria mori Bosnjë-Hercegovinën me të drejtën e “pushtimit të përkohshëm”, si edhe të mbajtjes së garnizoneve në sanxhakun e Novi Pazarit, trevë ku kishte popullsi shqiptare. Anglia vuri dorë mbi Qipron, me të drejtën e “administrimit”. Në krahasim me Traktatin e Shën Stefanit, Rusisë i cungoheshin përfitimet. “Bullgaria e madhe”, ku përfshiheshin edhe toka shqiptare, u prish dhe u nda më dysh: veç Principatës së Bullgarisë që mbetej si një shtet vasal i varur nominalisht nga Turqia, krijohej edhe Rumelia Lindore, si një provincë autonome me një guvernator të emëruar nga Porta e Lartë. Çështja shqiptare nuk u diskutua në Kongresin e Berlinit, megjithëse Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878) dhe degët e saj iu drejtuan disa herë (Memorandumi i Shkodrës, Memorandumi i Stambollit të qershorit 1878 etj.). Kancelari gjerman, Bismarku, e mohoi në kongres ekzistencën e kombësisë shqiptare. Kongresi i Berlinit mori vendime që cungonin vise të banuara nga popullsi shqiptare, në dobi të shteteve fqinje. Serbia merrte disa toka me popullsi shqiptare në krahinat e Vranjës, Nishit etj. deri në afërsi të Gjilanit. Mali i Zi merrte Plavën e Gucinë dhe fitonte të drejtën e lundrimit të lirë mbi Bunën dhe në liqenin e Shkodrës. Kongresi i Berlinit shtroi edhe çështjen e rishikimit të kufirit me Greqinë në jug, që do të zgjidhej me bisedime dypalëshe turko-greke. Ky rekomandim u përdor nga qeveria greke për të ngritur kërkesa që synonin të aneksonin krahinën shqiptare të Çamërisë. Këto vendime hasën në kundërshtimin e vendosur të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila iu kundërvu copëtimit të tokave shqiptare. Kjo e zgjati krizën lindore disa vjet, deri më 1881. (Në fotografi: Harta pas Kongresit të Berlinit, 1878.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1254.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Traktati_i_Berlinit_%281878%29
Përpunim grafik: AHCF




