Në Shkodër, në një familje me origjinë nga Dukagjini lindi Frederik Rreshpja, poeti lirik, eseist, publicist dhe botues. Pena e tij është ndër më përfaqësueset e vargut shqip. Në vendlindje kreu shkollimin fillor dhe të mesëm pranë gjimnazit “29 Nëntori”. Studimet universitare i ndoqi pranë Pedagogjikut në Tiranë, me korrespondencë. Më 1967 iu botua vepra e parë letrare, përmbledhja me poezi “Rapsodi shqiptare”. Më 1975, vepra e tij hiqet nga qarkullimi me urdhrin e një qarkoreje të Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës firmosur nga zv.ministri Mantho Bala. Arrestohet dhe dënohet “si një person që paraqet rrezikshmëri shoqërore e që synon në minimin, dobësimin dhe përmbysjen e pushtetit popullor”. Frederik Rreshpja u burgos dhe vuajti 17 vjet burg. Pasi doli nga burgu, botoi vëllimet “Erdhi ora të vdes përsëri” (1994), “Lirika të zgjedhura” (1996), si dhe vëllimin me poezi “Në vetmi” që u botua në vitin 2004, i cili i solli titullin “Poet i vitit 2004”. Frederik Rreshpja ishte dhe kryeredaktor i gazetës “Ora”, drejtues i një shtypshkronje dhe pronar i shtëpisë botuese “Evropa”. Përfshihet në vëllimin “Historia e letërsisë shqiptare” e Robert Elsie (2003). U nda nga jeta në Shkodër, në vitin 2006. U varros në varrezat katolike “Rrëmaj” të Shkodrës. (Në fotografi: Frederik Rreshpja)
Teksti: Muzeu Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”, Tiranë.
Fotografia: © Agjencia Telegrafike Shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




