Në Durrës lindi Prokop Mima, aktor, Artist i Merituar. Kreu gjimnazin në vendlindje. Luajti rolin e Rozhe de Bervil në komedinë “Topazi” të Marsel Pagnol në shfaqjen përuruese të Teatrit të Shtetit, më 25 maj 1945. Ka realizuar mbi 80 role në teatër dhe 4 në kinematografi. Ka qenë aktor satirik. Loja e tij është çmuar për vizatimin e karaktereve të goditura, origjinale. Zëri kumbues, shqiptimi i pastër i fjalës dhe plastika i kanë shërbyer për përcjelljen me elegancë të figurave te spektatori. Ndër rolet më të arritura të tij, janë: Zbisheku, te komedia “Morali i zonjës Dulska” e Gabriela Zapolskës (1958) dhe Xhivola te “Arturo Ui” e Bertold Brehtit (1971), nëpunësi i postës te “Revizori” (Nikolai Gogol), Vurmi tek “Intrigë e dashuri” (Friedrik Shiler), Adhamudhi te “Pas vdekjes” (Çajupi), Don Marku te “Cuca e maleve” (Loni Papa), gjeneral lejtënanti te “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (sipas romanit të Ismail Kadaresë) etj. Ka qenë pedagog i fjalës artistike në Institutin e Lartë të Arteve dhe recitues i talentuar i poezisë shqipe. (Në fotografi: Prokop Mima)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1720.
Fotografia: © https://aktoretshqiptare.info/
Përpunim grafik: AHCF




