U zhvillua “Beteja e Modricës”, midis ushtrisë shqiptare të udhëhequr nga Skënderbeu dhe trupave osmane të komanduara nga Hamza Pasha. Këmbësoria shqiptare e priti kalorësinë osmane në grykën e Modricës (Kosova Jugore) dhe me një goditje të befasishme e të rrufeshme e shpartalloi atë. Pjesa e ushtrisë osmane që shpëtoi, u prit në ngushticat e luginës nga kalorësia shqiptare. Në betejë osmanët lanë shumë të vrarë. Vetë komandanti i tyre së bashku me shtabin u zunë rob. Fitorja në Modricë ishte e para kundër forcave osmane, që nga koha e hipjes në fron të Sulltan Mehmetit II. (Në fotografi: Pjesa veriore e kalasë së Modricës.)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 229.
Fotografia: © Kica R., arkivi vetjak.
Përpunim grafik: AHCF




