U vra në një aksion ushtarak në Tanushë të Gostivarit, Hyrë Emini, luftëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni (sot Maqedonia e Veriut), dëshmore. Lindi në Ferizaj, më 21 korrik 1973. Nisi studimet për gjuhë dhe letërsi shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës, më pas i vijoi në Fakultetin Histori-Filologji në Tiranë. Në qershor të vitit 1998 u kthye nga Shqipëria dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. U sistemua në Brigadën 161 të Zonës Operative të Nerodimes në Jezerc. Mori pjesë në aksione luftarake në betejën e Jezercit dhe të Reçakut. Gjatë luftës raportoi nga zonat e luftës për Radion “Kosova e lirë” dhe Agjencinë e Lajmeve “Kosovapress”. Pas luftës u angazhua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës në Prishtinë. Me fillimin e luftës në Kosovën Lindore dhe Maqedoni i bashkohet Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe më pas Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. (Në fotografi: Hyrë Emini)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 389.
Fotografia: © https://ferizajpress.com/
Përpunim grafik: AHCF




