Në Manastir (Maqedonia e Veriut) lindi Aleksandër (Skënder) Dako, inxhinier, përkthyes, djali i rilindësit Kristo Dako dhe i pionieres së arsimit shqiptar, Sevasti Qiriazit. Emigron me familjen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kryen shkollimin fillor e të mesëm. Përfundon studimet në Universitetin e Oxford-it, në Fakultetin e Inxhinierisë. Kthehet në Shqipëri më 1940. Në vitin 1943 familja e Dakos u dërgua në kampin nazist të Beogradit, prej nga arriti të lirohet pas një viti. Më 1945, bën pjesë në misionin e UNRRA-s (United Nations Relief and Rehabilitation Administration – Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rindërtim) për Shqipërinë. Në tetor 1946, pas prishjes së raporteve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, arrestohet me akuzën si “agjent amerikan” ndërsa kryente detyrën e koordinatorit. Gjyqi zhvillohet pas dy vjetësh arrest. Më 5 maj 1949, me vendim nr. 58, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi për “faje penale kundër popullit dhe shtetit”, me 7 vjet burg me punë të detyruar dhe humbjen e së drejtës elektorale, sipas nenit 37 të Kodit Penal. Më pas u internua në Tepelenë për t’u kthyer në Tiranë më 1970. U nda nga jeta në Tiranë, më 1995. (Në fotografi: Dy prindërit e Aleksandër (Skënder) Dakos)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. II, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2013, faqe 28–29.
Fotografia: © Xhoxhi L., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




