Në kuvendin e Sarnos (Itali) u nda nga jeta Leonardo de Martino, studiues e frat françeskan arbëresh. Lindi në fshatin Greçi të Kampanjës, në krahinën e Avelinos, në vitin 1840. Misionar në Shkodër, ku luajti një rol të dorës së parë në veprimtarinë për hapjen e së parës shkollë italiane në Shqipëri, në të cilën shërbeu për gati dyzet vjet, nga viti 1865 deri më 1881. Shërbeu si famullitar në Troshan dhe më 1871, nxiti hapjen e shkollës femërore. Më pas ndoqi misionet ndër male. Shërbeu edhe si sekretar i Prenkë Dodë Bibës, dhe si mësues i të birit, Prengës. Gjithashtu, i dha mësim në vogëli Filip Shirokës, Gjergj Fishtës dhe Ndre Mjedës. At Leonardi u largua nga Shqipëria në fund të shekullit XIX. De Martino i la trashëgim kulturës shqiptare pasurinë që mblodhi gjatë dyzet vjetëve të shërbimit në provincën françeskane: vepra të përkthyera dhe origjinale, shkruar në dialektin gegë. Filologu i shquar Justin Rrota, autor i tekstit “Letratyra shqype për shkollat e mjesme” (1925), shprehet: “Leonardo de Martino është poet prej natyre, shkroi e botoi shumë kangë, sa kje pa ardhë në Shqypni, në gjuhë italishte. Këtu mandej, si e theu dialektin e vet n’atë të Gegnis, ia muer doren e shkroi me aq mjeshtri”. (Në fotografi: Leonardo de Martino)
Teksti: Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët, Tiranë.
Fotografia: © https://konica.al/2021/03/leonardo-de-martino-mesuesi-i-pare-i-fishtes/
Përpunim grafik: AHCF




