Çelet në Shkodër “Muzeu ateist”, me propagandë antifetare. Shqipëria renditet vendi i parë në botë që ka pasur një muze ateist. Më 10 korrik 1968 u inaugurua në Shkodër ekspozita ateiste me titull “Mbi rolin reaksionar të fesë”, e cila qëndroi e hapur për 5 vjet dhe shërbeu edhe si ekspozitë shëtitëse duke shkuar në fshatra, malësi dhe zona industriale për të bërë propagandë antifetare. Më 9 qershor 1973, ekspozita u shndërrua në “Muze ateist” me propagandë antifetare. Në hyrje të muzeut u vendos citati i Marksit: “Feja është opium për popullin”. Në stendat e secilit pavijon ishin ekspozuar dokumente, fotografi e materiale të ndryshme, që synonin të vinin në pah rolin armiqësor dhe reaksionar të klerit, sidomos atij katolik, si shërbëtor i Vatikanit dhe i imperializmit. Po ashtu, ky muze kishte edhe një ekspozitë lëvizëse të përbërë nga 23 stenda, e cila ekspozohej në zona të ndryshme jo vetëm të Shkodrës, por edhe të Shqipërisë. “Muzeu ateist” qëndroi i hapur deri më 13 dhjetor 1990. (Në fotografi: Pamje e brendshme e “Muzeut ateist”)
Teksti: https://www.bashkiashkoder.gov.al/
Fotografia: © https://www.observatorikujteses.al/
Përpunim grafik: AHCF




