U vra në përpjekje me forcat e sigurimit në Fushë-Milot, Sejfulla Merlika, nacionalist e ushtarak. Lindi në Krujë, në vitin 1907. Në vendlindje kreu shkollën qytetëse. Shkollën e plotësimit të oficerëve e kreu në Tiranë, kurse të lartën në Akademinë Ushtarake të Modenas, në Itali. Pas studimeve, u emërua shef i zyrës ushtarake të rekrutimit, fillimisht në Berat e, më vonë, në Korçë. Në nëntor të vitit 1941, kur Mustafa Kruja mori Kryesinë e Këshillit të Ministrave, u emërua adjutant i kryeministrit deri në dorëheqjen e tij, më 3 janar 1943. Në shtator 1944 u bashkua me forcat nacionaliste të Abaz Kupit dhe u emërua komisar i kompanisë së Qafë-Shtamës. Pas largimit të Abaz Kupit, vazhdoi rezistencën kundër forcave komuniste. U vra në përpjekje me forcat e sigurimit, në vitin 1946. Familja e tij, që ndërkaq qe internuar në Berat, u lirua më 31 korrik 1946. (Në fotografi: Pamje nga Kruja, vendlindjes së Sejfulla Merlikës.)
Teksti: Fjalor enciklopedik i viktimave të terrorit komunist – Vëll. V, “West Print”, Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Tiranë, 2016, faqe 304.
Fotografia: © https://sq.wikipedia.org/wiki/Feja_n%C3%AB_trevat_shqiptare
Përpunim grafik: AHCF




