Në Bajzë (Ivanaj) të Kastratit (Malësia e Madhe) lindi Llukë Kaçaj, këngëtar bas, Artist i Merituar. Arsimin e parë muzikor e mori në gjimnazin jezuit të Shkodrës. Studimet e larta për kanto i kreu në konservatorin “P. I. Çajkovski” të Moskës (1951–1956). Filloi veprimtarinë në Teatrin e Operës dhe të Baletit, ku realizoi role kryesore në operat “Berberi i Seviljes” (Rosini), “Eugjen Onegin” dhe “Jolanta” (Çajkovski), “Aleko” (Rahmaninov), “Mrika” (Prenk Jakova). Zhvilloi veprimtari të dendur koncertore brenda dhe jashtë vendit (Rusi, Poloni, Bullgari, Hungari, Austri etj.). Me ariet e Filipit (“Don Karlos”, Verdi), Greminit (“Eugjen Onegin”, Çajkovski), Leporelos (“Don Zhuani”, Moxart), Gjinit (“Mrika”, Prenk Jakova) krijoi modele të spikatura të interpretimit vokal, duke nxjerrë në pah veçoritë interpretuese në gjithë diapazonin e zërit të tij kumbues, temperamentin artistik, muzikalitetin e hollë dhe sidomos timbrin e ngrohtë me karakter dinamik. Më 1966 u emërua pedagog në Institutin e Lartë të Arteve. Karriera e tij u ndërpre më 1973, kur u burgos dhe u dënua me akuza politike. U nda nga jeta në vitin 2001. (Në fotografi: Llukë Kaçaj)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1082.
Fotografia: © https://flasshqip.ca/kulture/arte-media/
Përpunim grafik: AHCF




