Në Tiranë, u nda nga jeta Moikom Zeqo, poet, publicist dhe eseist, veprimtar politik. Lindi në Durrës, më 1949. Kreu studimet e larta në degën e gjuhës shqipe e të letërsisë në Universitetin e Tiranës (1971). Punoi fillimisht në gazetën “Drita”, më pas në Institutin e Arkeologjisë të Akademisë së Shkencave si kërkues në fushën e artit. Ministër i Kulturës (1991) dhe drejtor i Muzeut Historik Kombëtar (1997–2005). Veprimtarinë letrare e filloi si poet. Në vëllimet e tij “Qyteti Feniks” (1970), “Libër i hapur” (1986), “Meduza” (1994), botoi lirikë që prirej fort pas përsiatjeve të shprehura me një figuracion të dendur e disi abstrakt. I dhënë pas disa fushash të dijes, Moikom Zeqo ka shkruar shumë artikuj për arkeologjinë, muzeologjinë, historinë e letërsisë dhe të arteve. Duke ndjekur prirjen e tij prej eseisti, Moikom Zeqo ka botuar librat “Kështu foli Monaliza” (2000), “Syri i tretë” (2001) etj. Në vitet 1992–1997 është zgjedhur deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Është dekoruar me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”. (Në fotografi: Moikom Zeqo)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2987.
Fotografia: © http://revistapsikologji.com/
Përpunim grafik: AHCF




