Në Stamboll, u nda nga jeta Sami Frashëri, shkrimtar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Lindi në Frashër të Përmetit (Vilajeti i atëhershëm i Janinës), më 1 qershor 1850. Mësimet fillestare në turqisht, arabisht e persisht i mori nga hoxha i katundit. Pas vdekjes së babait, familja Frashëri u zhvendos në Janinë, vend në të cilin Samiu kreu gjimnazin grek “Zosimea”. Ai vazhdoi të mësojë arabishten e turqishten, përkundër mësimeve në greqisht të shkollës e të kulturës frënge e italiane që mori. Pasi kreu gjimnazin, shkoi në Stamboll, sërish në Janinë e në Frashër, për t’u vendosur përfundimisht në kryeqytetin e perandorisë, deri në fund të jetës. Puna e Sami Frashërit në fushën e kulturës përfshin veprën e tij në disa gjuhë, si: shqip, turqisht, arabisht, me përkthimet, punën studimore, tekste shkollore, fjalorë, enciklopedinë e njohur “Kamûs-ül Â’lâm” (1889–1898), themelimin dhe drejtimin e gazetave e të revistave, si “Drita” e “Dituria” etj. Vepra kulturore, arsimore e letrare e Sami Frashërit, e lidhur me shqiptarët, për nga gjuha e për nga tematika, përfshin: “Besa ose fjala e dhënë” (Besa yahud Ahde Vefa, 1874); “Shkronjëtore e gjuhës shqip” (1886), “Abetare e gjuhës shqip” (1886), “Dheshkronjë” (1888) “Shqipëria ç’ka qenë, çështë e ç’do të bëhetë?” (1899). “Shqipëria ç’ka qenë, çështë e ç’do të bëhetë?” e Sami Frashërit është vepra themelore ideologjike e Rilindjes Shqiptare, që lidh e jep idetë e mëdha të kombit e të jetës politike të tij, njësitë e identitetit historik, madje mitik, dhe që e projekton të ardhmen e tij politike. (Në fotografi Sami Frashëri)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 464.
Fotografia: © https://en.wikipedia.org/wiki/Sami_Frash%C3%ABri
Përpunim grafik: AHCF




