U vra nga bashkëpunëtorët e pushtuesve italianë, në malin e Leshnjës (Skrapar), Ramiz Aranitasi, pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. Lindi në Aranitas të Mallakastrës, më 1923. U përjashtua nga shkolla bujqësore e Kavajës për veprimtari revolucionare. U lidh me grupin komunist të Korçës, duke qenë nxënës i shkollës teknike të atjeshme. Mori pjesë në demonstratën e 8 nëntorit 1941, në Korçë, ku u plagos dhe u arrestua nga fashistët. Ishte anëtar i njësiteve guerile të Korçës (1942). Anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare, më 1942. Organizator i çetave partizane në krahinën e Skraparit dhe komisar i çetës së dytë të Skraparit (1942). Zhvilloi veprimtari të gjerë për ngritjen e këshillave nacionalçlirimtarë dhe për krijimin e njësiteve vullnetare. Mori pjesë në Konferencën I të Vendit të Partisë Komuniste Shqiptare si delegat i qarkut të Beratit. U nda nga jeta, më 1943. (Në fotografi: Ramiz Aranitasi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 1, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 86.
Fotografia: © Kadiu A., arkivi vetjak
Përpunim grafik: AHCF




