Ra në Drojtje të Junikut Bedri Shala, luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmor. Lindi në fshatin Gjergjicë të Drenasit, në vitin 1969. Më 1992 emigroi në Danimarkë dhe më pas në Holandë. Në mars të vitit 1998, përmes Shqipërisë, u kthye në Kosovë, në Jabllanicë të Dushkajës. Një kohë veproi në kuadër të komandës të Zonës Operative të Dukagjinit, në Gllogjan, ku u ngarkua me stërvitjen e rekrutëve të rinj. U dallua në betejat e Baballoçit, Gramaçelit, Prilepit, Rastavicës etj. Në qershor kaloi në Zonën Operative të Drenicës, në Likoc, ku u mor me organizimin e luftës dhe furnizimin me armë. Mori pjesë në luftimet e zhvilluara në Gllarevë, grykë të Llapushnikut, Çirez, Prekaz, Llaushë, Likoc etj. Në muajin korrik, në krye të një grupi prej më se 600 vullnetarësh nga Drenica, u nis për në Shqipëri, për furnizim me armatim. Më 27 korrik, së bashku me Bekim Berishën, në krye të mbi 400 luftëtarëve hynë në zonën e Junikut, ku po zhvilloheshin luftime të rrepta. Që nga ajo ditë Bedri Shala me bashkëluftëtarë zhvilluan beteja të pandërprera me forcat ushtarako-policore serbe në rajonin e Rekës së Keqe. (Në fotografi: Bedri Shala)
Teksti: Fjalori enciklopedik i Kosovës – Vëll. II, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 1564.
Fotografia: © https://postakosoves.com/en/featured_item/
Përpunim grafik: AHCF




