Në Tiranë u nda nga jeta Agim Zajmi, skenograf, kostumograf, piktor, Piktor i Popullit, profesor. Lindi në Tiranë, më 28 nëntor 1936, në një familje të shpërngulur nga Peja në vitin 1920. Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” dhe ndoqi studimet e larta në Institutin “I. E. Rjepin” të Akademisë së Arteve në Leningrad (1957–1961). Nga viti 1961 skenograf në Teatrin e Operës dhe Baletit e në Teatrin Kombëtar, më pas pedagog në Akademinë e Arteve. Krijimtaria e tij 40-vjeçare përfshin më tepër se 250 realizime në skenografi, si “Cuca e maleve” (1967), “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1972), “Familja e peshkatarit” (1974) etj., nga dramaturgjia kombëtare; “Romeo e Zhulieta”, “Nata e 12-të”, “Luiza Miler” etj., nga dramaturgjia botërore. Agim Zajmi ka dhe mbi 300 realizime në kostumografi. Karakteristika kryesore të skenografisë së Agim Zajmit janë: mbështetja në veprën dramatike, zbërthimi i filozofisë së saj, krijimi i hapësirës së domosdoshme për lojën e aktorit, që i lejojnë atij të organizojë në mënyrë funksionale veprimin skenik; shfrytëzimi i metaforës, roli i veçantë i ndriçimit dhe së fundi kostumografia. Gjuha e tij skenografike është poetike, prandaj është quajtur edhe poet i skenës. Si piktor, Agim Zajmi shfaqi herët prirje për temën historike, që e karakterizuan më pas pothuajse tërë krijimtarinë e tij. Piktura e tij aq sa ka subjekt, po aq është dhe konvencionale; në të ngërthehet simbolika e metafora, detaji është i gjetur në mënyrë të atillë, që të shprehë një mendim të përgjithshëm, i domosdoshëm ky për veprën e artit figurativ. (Në fotografi: Agim Zajmi)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2009, faqe 2971–2972.
Fotografia: © https://www.kinematografia-shqiptare-sporti.com/piktori-i-popullit-agim-zajmi-1936-2013/
Përpunim grafik: AHCF




