Në Tërrnoc të Bujanocit lindi Nexhat Daci, kimist, profesor universiteti, akademik. Shkollimin e kreu në vendlindje dhe Leskovc (1960). Studimet e rregullta për kimi i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Beogradit (1966), ku mbaron edhe studimet pasuniversitare (1968). Tezën e disertacionit të doktoratës e mbrojti në Universitetin e Zagrebit (1973). Studimet e pasdoktoratës i vazhdoi në Angli, në Universitetin e Bradfordit (1974). Në vitin 1966 u zgjodh asistent në degën e kimisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, pastaj ligjërues dhe në vitin 1984 merr titullin profesor. Është anëtar i disa institucioneve dhe asociacioneve ndërkombëtare, ndër të cilat edhe i Shoqatës së Kimistëve Amerikanë (1985), i Akademisë Evropiane për Çështje të Mjedisit në Tubingen, në Gjermani dhe Londër (1987). Në vitin 1994 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 1996 anëtar i rregullt; më pas bëhet sekretar i përgjithshëm dhe kryetar i saj (1999–2002). Në vitin 2014 u zgjodh anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe të Arteve me seli në Salcburg. Nexhat Daci ka qenë aktiv në jetën politike dhe institucionale të Kosovës: në periudhën 2001–2011 u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës dhe në vitet 2001–2006 ishte kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Veprimtaria e tij shkencore përmban punime shkencore të publikuara në revista të ndryshme brenda dhe jashtë vendit, projekte shkencore, elaborate, kumtesa, tekste universitare etj. Ishte bartës ose pjesëmarrës në shumë projekte shkencore nga fusha e mbrojtjes së mjedisit. Është bartës i shumë çmimeve dhe mirënjohjeve për veprimtari arsimore dhe shkencore. (Në fotografi: Nexhat Daci)
Teksti: Fjalor enciklopedik i Kosovës – Vëll. I, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Prishtinë, 2018, faqe 284–285.
Fotografia: © https://ashak.org/anetaret/nexhat-daci/
Përpunim grafik: AHCF




