Në Lekdush të Tepelenës lindi Mustafa Matohiti, pjesëmarrës i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Hero i Popullit. U burgos disa herë (1937, 1938) për veprimtari revolucionare kundër regjimit të Zogut. Kundërshtoi pushtimin italian dhe u hodh menjëherë në veprimtari antifashiste në Sarandë e në krahinën e Bregut (të detit Jon). Në fillim të vitit 1942 kaloi në ilegalitet. Propagandoi në masat e gjera të popullit të krahinës së Kurveleshit, Tepelenës, Përmetit, Sarandës etj. vijën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Për gojëtarinë e tij u mbiquajt “Bilbil Matohiti”. Anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare në qershor 1942. Komisar politik i çetës së Kurveleshit dhe përgjegjës i celulës së Partisë të kësaj zone (1942), mori pjesë në krye të forcave partizane në luftimet për çlirimin e Gusmarit dhe gjithë Kurveleshit. Më pas u caktua me punë partie në krahinën e Përmetit, të Tepelenës e të Kurveleshit (1942–1943) dhe, me formimin e Grupit IV partizan “Çamëria”, u caktua komisar i tij (1943) dhe më pas komisar i Brigadës VI Sulmuese (1944). U shqua si luftëtar trim dhe kuadër politik e ushtarak i zoti. U vra në vitin 1944, në luftën kundër nazistëve gjermanë në kalanë e Margëlliçit (Patos). Busti i Mustafa Matohitit është vendosur në qytetin e Tepelenës. (Në fotografi: Mustafa Matohiti)
Teksti: Fjalor enciklopedik shqiptar – Vëll. 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008, faqe 1658.
Fotografia: © https://www.pinterest.co.uk/pin/838795499332858459/
Përpunim grafik: AHCF




